Mbi

Veçori

Veçori

Mbi WordPress ngrihet më shumë se 43% e web-it — një shifër që rritet përditë. Gjithçka, nga sajte të thjeshtë, në blogje, në portale të ndërlikuar dhe sajte ndërmarrjesh, madje dhe aplikacione, janë të krijuar me WordPress.

WordPress-i ndërthur thjeshtësinë për përdoruesit dhe botuesit me kompleksitetin nën kapak për zhvilluesit. Kjo e bën të zhdërvjellët, teksa mbetet i lehtë për t’u përdorur. Sa vijon, është një listë e disa veçorive që janë pjesë standarde e WordPress-it; sidoqoftë, ka me mijëra shtojca që zgjerojnë atë çka kryen WordPress-i, ndaj ç’mund të arrihet aktualisht është thuajse e pakufi. Jeni gjithashtu i lirë të bëni ç’të doni me kodin e WordPress-it, ta zgjeroni apo ndryshoni në çfarëdo mënyre ose ta përdorni për projekte komerciale pa ndonjë çmim licence. Kjo është e bukura me software-in e lirë, “i lirë” nuk i referohet vetëm mungesës së çmimit, por edhe lirisë për të pasur kontroll të plotë mbi të.

Ja disa veçori që mendojmë se do t’i doni fort.

  • Thjeshtësi
    Thjeshtësi ua bën të mundur të hidheni në internet dhe të publikoni, shpejt. Asgjë s’duhet t’ju presë rrugën drejt ngritjes së sajtit dhe bërjes publike të lëndës tuaj. WordPress-i është krijuar për ta bërë të mundur këtë.
  • Zhdërvjelltësi
    Me WordPress-in mund të krijoni çfarëdo lloj sajti që doni: një blog personal, ose një sajt, një fotoblog, një sajt biznesi, një portofol punësh profesionale, një sajt qeveritar, një sajt reviste apo gazete, një bashkësi internetore, madje edhe një rrjet sajtesh. Mund ta zbukuroni sajtin tuaj me tema dhe ta zgjeroni me shtojca. Mundeni madje të krijoni aplikacione tuajt.
  • Publikoni me Lehtësi
    Nëse krijuat ndonjëherë një dokument, jeni tashmë i rrufeshëm në krijim lënde me WordPress-in. Mund të krijoni Postime dhe Faqe, t’i formatoni ato lehtësisht, të futni media dhe me klikimin e një butoni lënda juaj është gati dhe në web.
  • Mjete botimi
    WordPress-i ua bën të kollajtë të administroni lëndën tuaj. Krijoni skica, vini në plan publikimin dhe shihni rishikime të postimeve tuaja. Bëjeni lëndën tuaj publike, ose private dhe sigurojini me një fjalëkalim postimet dhe faqet.
  • Administrim Përdoruesish
    Jo gjithkujt i duhet e njëjta shkallë hyrjeje te sajti juaj. Përgjegjësit administrojnë sajtin, redaktorët punojnë me lëndën, autorët dhe kontribuesit shkruajnë atë lëndë dhe pajtimtarët kanë një profil që munden ta ndryshojnë. Kjo ju lejon të keni një larmi kontribuesish te sajti juaj dhe të tjerët t’i lini thjesht të jenë pjesë e bashkësisë tuaj.
  • Administrim Mediash
    Thonë se një figurë vlen sa një mijë fjalë, çka është arsyeja pse për ju është e rëndësishme të jeni në gjendje të ngarkoni shpejt dhe kollaj në WordPress figura dhe media. Që t’i shtoni te sajti juaj, tërhiqini dhe lërini mediat te ngarkuesi. Shtoni tekst alternativ dhe përshkrime dhe futini figurat dhe galeritë te lënda juaj. Kemi shtuar madje edhe pak mjete përpunimi figurash me të cilat mund të zbaviteni.
  • Përkim i Plotë Me Standardet
    Çdo pjesë kodi WordPress e prodhuar është në pajtim të plotë me standardet e vendosura nga W3C. Kjo do të thotë se sajti juaj do të funksionojë me shfletuesin e sotëm, teksa ruan përputhje të mëtejshme me brezin pasues të shfletuesve. Sajti juaj është diçka e bukur, tani dhe në të ardhmen.
  • Sistem i Kollajtë Temash
    WordPress-i vjen i paketuar me tre tema parazgjedhje, por nëse s’bëjnë për ju, ka një drejtori temash me mijëra tema, që të krijoni një sajt të hijshëm. Asnjë prej tyre për shijet tuaja? Ngarkoni temën tuaj, me klikim të një butoni. Duhen vetëm pak sekonda që t’i jepni sajtit tuaj një ndryshim të plotë grimi.
  • Zgjerojeni me Shtojca
    WordPress-i vjen i paketuar me plot veçori për çdo përdorues. Për çdo veçori që s’është pjesë e WordPress-it bazë, ka një drejtori shtojcash me mijëra shtojca. Shtoni galeri komplekse, funksione rrjetesh shoqërorë, forume, widget-e media shoqërore, mbrojtje nga mesazhe të padëshiruar, kalendarë, kontrolle të imët për ta bërë optimal për motorë kërkimi, si dhe formularë.
  • Komente Së Brendshmi
    Blogu juaj është shtëpia juaj dhe komentet japin një hapësirë që shokët dhe ndjekësit tuaj të angazhohen me lëndën tuaj. Mjetet WordPress për komente ju japin gjithçka ju duhet për të qenë një forum diskutimesh dhe për ta moderuar atë diskutim.
  • Bërë Optimal Për Motorë Kërkimi
    WordPress-i është optimal për motorë kërkimesh fill pas instalimit. Për kontroll më të imët lidhur me SEO-n, ka plot shtojca për SEO për ta bërë këtë për ju.
  • Përdoreni WordPress-in në Gjuhën Tuaj
    WordPress-i është gati në më tepër se 70 gjuhë. Nëse ju, apo personi të cilit po i ndërtoni sajtin, do të parapëlqenit të përdornit WordPress-in në një gjuhë tjetër nga anglishtja, kjo bëhet kollaj.
  • Instalim dhe Përmirësime të lehta
    WordPress-i ka qenë përherë i lehtë për t’u instaluar dhe përmirësuar. Plot strehues web ofrojnë instalues WordPress me një klikim, po pra, thjesht një klikim! Ose, nëse jeni i lumtur të përdorni një program FTP, mund të krijoni një bazë të dhënash, ta ngarkoni WordPress-in duke përdorur FTP-n dhe të xhironi instaluesin.
  • Importues
    Po përdorni software blogu apo sajti dhe s’jeni i kënaqur? Keni blogun tuaj në një shërbim strehimi që është duke u mbyllur? WordPress-i vjen me importues për Blogger, LiveJournal, Movable Type, TypePad, Tumblr dhe WordPress. Nëse jeni gati për të bërë lëvizjen, e kemi bërë të lehtë për ju.
  • Jini Zot i të Dhënave Tuaja
    Shërbimet e strehimit vijnë e shkojnë. Nëse përdorët ndonjëherë një shërbim që u zhduk, e dini se sa lënduese mund të jetë kjo. Nëse keni parë ndonjëherë të shfaqen reklama në sajtin tuaj, duhet të jeni bezdisur mjaft. Përdorimi i WordPress-it do të thotë se askush s’mund të hyjë në të dhënat tuaja. Jini zot i të dhënave tuaja, krejt atyre — sajti juaj, lëndë juaj, të dhënat tuaja.
  • Liri
    WordPress-i licencohet sipas GPL-së, që qe krijuar për të mbrojtur liritë tuaja. Jeni i lirë ta përdorni WordPress-in në çfarëdo rruge që zgjidhni: instalojeni, përdoreni, ndryshojeni, shpërndajeni. Liria e software-it është themeli mbi të cilën ngrihet WordPress-i.
  • Bashkësia
    Si CMS-ja me burim të hapët më popullore në web, WordPress-i ka një bashkësi plot gjallëri dhe dashamirëse. Bëni një pyetje te forumet e asistencës dhe merrni ndihmë nga një vullnetar, ndiqni një WordCamp apo Takim, për të mësuar më tepër rreth WordPress-it, lexoni postime blogjesh dhe përkujdesore rreth WordPress-it. Bashkësia është në qendër të WordPress-it, duke e bërë atë çka është sot.
  • Jepni Ndihmesë
    Mund të jeni edhe ju pjesë e WordPress-it! Ndihmoni të ndërtohet WordPress-i, jepuni përgjigje pyetjeve në forumet e asistencës, shkruani dokumentim, përkthejeni WordPress-in në gjuhën tuaj, flisni në një WordCamp, shkruani rreth WordPress-it në blogun tuaj. Cilado qofshin aftësitë tuaja, do të donim t’ju dëgjonim!

Veçori për Zhvillues

Për zhvilluesit kemi nën lëkurë plot gjëra të mira të cilat mund t’i përdorni për ta zgjeruar WordPress-in sipas cilitdo drejtim që doni.

  • Sistem Shtojcash
    API-t e WordPress-it bëjnë të mundur për ju të krijoni shtojca për të zgjeruar WordPress-in. Aftësia e WordPress-it për t’u zgjeruar bazohet në mijëra grremça në dispozicionin tuaj. Pasi të keni krijuar shtojcën tuaj, kemi për ju edhe një drejtori shtojcash ku ta strehoni.
  • Sistem Temash
    Krijoni tema WordPress për klientë, përdorues të tjerë WordPress-i, ose për veten tuaj. WordPress-i jep mundësi zgjerimi përmes krijimi temash, aq të thjeshta, apo aq të ndërlikuara sa doni. Nëse doni ta jepni temën tuaj falas, mund t’ua jepni përdoruesve që nga drejtoria e temave.
  • Platformë Aplikacionesh
    Nëse doni të krijoni një aplikacion, WordPress-i mund t’ju ndihmojë edhe këtu. WordPress-i sjell një mori veçorish, nën kapak, për të cilat ka nevojë aplikacioni juaj: përkthime, administrim përdoruesish, kërkesa HTTP, baza të dhënash, drejtim URL-sh dhe shumë e shumë të tjera. Mundeni gjithashtu të përdorni API-n tonë REST për të ndërvepruar me të.
  • Lloje Vetjakë Lënde
    WordPress-i vjen me lloje parazgjedhje lënde, por, për më tepër zhdërvjelltësi mund të shtoni pak rreshta kodi për të krijuar llojet tuaj vetjakë për postime, klasifikime dhe tejtëdhëna. Shpjereni WordPress-in në çfarëdo drejtimi që dëshironi.